Ecja e fëmijës në majë të gishtave

Çfarë është ecja në majë të gishtave?

Ecja e fëmijës në majë të gishtave është pamundësi apo paaftësi e mbeshtetjes së thembrës në tokë në kontaktin fillestar, gjithashtu edhe në fazat e tjera  të ecjes.

Ecja e fëmijës në majë të gishtave është relativisht e zakonshme kur fëmijët mësojnë për herë të parë të ecin. Kjo mënyrë ecjeje më vonë zëvëndësohet me ecjen me thembra, afërsisht 3-6 muaj pas fillimit të ecjes së pavarur.

Megjithatë, disa fëmijë vazhdojnë të ecin në majë të gishtave të këmbës edhe pas fillimit të ecjes së pavarur.

Çfarë e shkakton ecjen në majë të gishtave tek një fëmijë?

Në shumicën e fëmijëve, ecja në majë të gishtave të këmbës është idiopatike, që do të thotë se shkaku i saktë nuk dihet. Pas vlerësimit nga mjeku, ekzaminimi klinik ortopedik dhe testet neurologjike janë normale.

Diagnostikimi bëhet pasi patollogjitë e tjera janë përjashtuar si: forma të ndryshme të paralizës cerebrale, crregullimi i procesimit sensor, spektri i crregullimeve autike, distrofia muskulare, spina bifida, diastmatomielia etj.

Çfarë problemesh mund të shkaktojë ecja në majë të gishtave?

Ecja në majë të gishtave të këmbës mund të bëjë që një fëmijë të rrëzohet me shpesh. 

Shkakton shqetësim të vazhdueshëm tek prindërit pasi fëmija i tyre ju duket jo normal.

Fëmija krijon shqetësim, problem socializimi, stigmë sociale, pasi e vë re që ecja e tij nuk është e njëjtë me të shokëve dhe shoqeve të tij të cilët herë pas here mund tja vënë edhe në dukje.

Gjithashtu gjatë adoleshencës dhe moshës madhore, më pas mund të rezultojë në kompromentim, dëmtim të performancës atletike apo edhe aktivitetit fizik normal.

Cfarë do të rekomandja për trajtimin e kësaj problematike?

Identifikimi dhe trajtimi i hershëm për ecjen në majë të gishtave  rezulton në rezultate më të mira përsa i përket gamës së lëvizjeve dhe përmirësimit të fazave të ndryshme të ecjes, me thembrën e mbeshtetur në tokë.  

Fillimisht fëmija duhet të vëzhgohet deri në moshën 2 vjec, me rikontrolle të herë pas hershme cdo 3 apo 6 muaj sipas problematikës së rasteve që prezantohen. 

Janë propozuar një sërë opsionesh trajtimi joinvazive dhe invasive.

Strategjitë e trajtimit përfshijnë terapi fizike, këpucë ortopedike, redresime seriale në gips, ortoza, botulintoksina tip A (BTX-A) apo dhe trajtimi kirurgjikal. 

Në literaturë nuk ka një konsensus mbi kriteret për përdorimin e një lloji të veçantë trajtimi. 

Tek fëmijët me deformim të lehtë ose të moderuar, vetëm terapia fizike është e mjaftueshme për të rritur zgjatjen e strukturave miogjene dhe fibroze përmes tensionimit gradual të sistemit muskulor në strukturat e shkurtuara të këmbës.

Përdorimi e një ortoze gjatë ditës ose natës, në dorsifleksion 10° kombinuar gjithashtu edhe me terapi fizike, mund të ndihmojë gjithashtu në zgjatjen progressive të strukturave të shkurtuara. 

Në linjë guidat e trajtimit rekomandohet që redresimet me gips të fillojnë pas moshës 2 vjec por në raste specifike mund të aplikohet edhe në moshë më të hershme. Në literaturë ka raste që është aplikuar edhe në moshën 18 muaj. Cdo set redresimi mbahet 7-10 ditë dhe trajtimi vazhdon deri në 6 jave. Fëmija mund të marrë 5 mg diazepam, rreth 1 orë përpara cdo aplikimi të gipsit redresues. Prindërit nuk kanë referuar diskonfort nga fëmija, dhe kjo procedurë nëse realizohet në mënyrë korrekte nuk ka komplikacione gjatë kohës së aplikimit.

Ndërhyrja kirurgjikale është e indikuar për fëmijët me deformim më të rëndë të ekuinusit. Trajtimi kirurgjikal është më i suksesshëm në fëmijët në moshë më të madhe, që kanë ecur në majë të gishtave prej disa vitesh, ku është instaluar kontraktura fikse. Përshkruhen në literaturë një sërë teknikash kirurgjikale të suksesshme, që mund të aplikohen sipas problematikës rast pas rasti.

Megjithëse të gjitha këto trajtime përdoren gjërësisht në praktikën klinike, në literaturë numri dhe cilësia e botimeve që qartësojnë strategjinë e trajtimit dhe rezultatet afatgjata të trajtimit, është ende i kufizuar. 

Dr. Arian Çelaj

Kirurg Ortoped Traumatolog, Kirurgji Dore & Anësi e Sipërme, Artroskopi, Protezim, Anomali të lindura, Kirurgji e Nervave Periferik, Paraliza Obstetrikale

Gjithashtu mund te lexoni...

Postimet me te klikuara...