Dëmtimet traumatike të tendineve në dorë dhe parakrah

Dëmtimet traumatike të tendineve në dorë dhe parakrah janë mjaft të shpeshta në praktikën klinike.

Tendinet e dorës janë struktura si kordone që lidhin muskujt me kockat, shkojnë nga parakrahu përgjatë kyçit të dorës, pëllëmbës dhe në gishta, dhe shërbejnë për mbledhjen dhe shtrirjen e gishtave. Në këtë mënyrë realizohet funksioni kapës i dorës.

Dëmtimet traumatike të tendineve të dorës dhe të parakrahut shkaktojnë humbje të aftësisë kapëse të dorës dhe nëse nuk trajtohen në mënyrën e duhur shkaktojnë invaliditet; humbje të aftësisë për punë.

Dëmtimet traumatike të tendineve në dorë dhe parakrah vijnë si pasojë e dëmtimeve me mjete prerëse apo edhe e përdorimit të dorës në aktivitete të dhunshme, sportive, punë apo edhe në jetën e përditshme në situata aksidentale.

Për shkak se nervat dhe enët e gjakut të gishtave, dorës dhe parakrahut, janë shumë afër tendineve, një prerje mund t’i dëmtojë edhe ato gjithashtu. Kjo mund të shkaktojë mpirje në zonën e inervimit të nervit të dëmtuar, humbje të ndjeshmërise. Nëse edhe enët e gjakut dëmtohen, gishti, dora mund të mos ketë furnizim me gjak, gjë që mund të shkaktojë humbjen e gishtit apo edhe të dorës. Kjo kërkon një operacion të menjëhershëm, urgjent.

Herë pas here, tendinet mund të dëmtohen pjesërisht. Pas një dëmtimi të pjesshëm të tendinit, mund të jetë ende e mundur të përkulni gishtin. Megjithatë, dëmtimet e pjesshme të tendinit mund të rezultojnë në përkulje jo të plotë të gishtit, dhimbje, apo edhe kapje ose bllokim të gishtit gjatë lëvizjes. Dëmtimet e pjesshme të tendineve mund të jenë të vështira për t’u diagnostikuar, dhe mund të kërkojnë ekzaminime suplementare për tu diagnostikuar.

Shenjat më të zakonshme të dëmtimit të tendineve  përfshijnë:

  • Një plagë e hapur, si një prerje, në anën e pëllëmbës së dorës, kyçit ose parakrahut
  • Pamundësia për të përkulur apo shtrirë një ose më shumë artikulacione të gishtit tuaj
  • Dhimbje kur përpiqeni të përkulni apo të shtrini gishtin
  • Dhimbje në prekje përgjatë gishtit apo trajektit të tendinit të dorës së dëmtuar
  • Mpirje në majë të gishtit tuaj

Pas ekzaminimit të dorës, mjeku mund të pastrojë dhe të mbyllë plagën për të zvogëluar rrezikun e infeksionit. Dora vendoset në një splint për të mbrojtur strukturat e dëmtuara. Në shumicën e rasteve, një prerje ose këputje e tendinit duhet të riparohet nga një kirurg me eksperience dhe trajnuar në kirurgji dore.

Operacioni zakonisht kryhet brenda 7 deri në 10 ditë pas një dëmtimi. Në përgjithësi, sa më shpejt të kryhet operacioni, aq më mirë do të jetë shërimi.

Për shkak se tendinat dëmtohen në mënyra të ndryshme, ka metoda të ndryshme që kirurgu mund t’i riparojë ato.

Pas opeacionit gishtat dhe kyçi i dorës mund të vendosen,imobilizohen, në një pozicion të përkulur për të ulur tensionin e tendineve të riparuar.

Shpesh, në varësi të dëmtimit tuaj, kirurgu do t’ju referojë tek një fizioterapist i dorës për disa ditë pas operacionit tuaj për të filluar ushtrimet, fizioterapinë.

Është e rëndësishme që të ndiqni udhëzimet e kirurgut dhe fizioterapistit tuaj për të shmangur dëmtimin e tendinit të riparuar. Rezultati i riparimit do të varet shumë nga aftësia juaj për të ndjekur udhëzimet e kirurgut dhe fizioterapistit.

Një tendin i dëmtuar, i trajtuar kirurgjikalisht, kërkon afërsisht 3 deri në 4 muaj për t’u shëruar përpara se dora juaj të jetë e fortë për t’u përdorur pa kufizime.

Zakonisht do t’ju kërkohet të mbani një splint mbrojtës për afërsisht 6 ose 8 javë pas operacionit, duke e hequr atë vetëm për të bërë ushtrime të përshkruara nga mjeku dhe fizioterapisti. Ushtrimet ndihmojnë që të rikthehet gradualisht lëvizja dhe funksionin.

Ngurtësia, kufizimi i levizjeve pas operacionit është e zakonshme, por zakonisht i përgjigjet mirë  fizioterapisë. Ndonjëherë pas operacionit, indi i ri që krijohet si pjesë e shërimit, mund të shkaktojë ngjitjen e tendinit në mbështjellësin e tendinit dhe me strukturat përreth. Nëse kjo nuk përmirësohet me fizioterapinë, mund të jetë e nevojshme për një operacion shtesë të quajtur tenolizë. Tenoliza kryhet pasi tendini të jetë shëruar, rreth 4 deri në 6 muaj nga riparimi. Tenoliza konsiston në lirimin e tendinave në mënyrë që ato të mund të rrëshqasin lirshëm në mbështjellësin e tendinit dhe të përmirësojnë lëvizjen e gishtit të dëmtuar.

Gjatë viteve të fundit, avancimi i teknikave operatore, materialeve të përdorura gjatë operacionit dhe përvoja në trajtimin e dëmtimeve të tendineve kanë rezultuar në përmirësimin e rezultateve funksionale për pacientët.

Dëmtimet traumatike të tendineve në dorë dhe parakrah mund të jenë shumë sfiduese për t’u trajtuar. Edhe në duart më të mira dhe me shumë eksperiencë, disa pacientë zhvillojnë ngurtësi, kufizim të lëvizjeve dhe funksion të dobët të dorës pas dëmtimit dhe riparimit të tendineve. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që të trajtoheni menjëherë nëse keni një dëmtim të tendineve, të zgjidhni mjekun e duhur dhe të ndiqni në mënyrë korrekte fizioterapinë. Fizioterapia është po aq e rëndësishme sa edhe vetë kirurgjia në arritjen e rezultaveve të mira funksionale.

Në përgjithësi, pavarësisht sfidave të tij, operacioni i riparimit të tendineve rezulton në rikthim të mirë të funksionit dhe pacientët janë të kënaqur me rezultatet funksionale pas shërimit.

Dr. Arian Çelaj

Kirurg Ortoped Traumatolog, Kirurgji Dore & Anësi e Sipërme, Artroskopi, Protezim, Anomali të lindura, Kirurgji e Nervave Periferik, Paraliza Obstetrikale

Gjithashtu mund te lexoni...

Postimet me te klikuara...