Anomalitë kongenitale të anësisë së sipërme janë relativisht të shpeshta. Rreth 16 raste në 10.000 lindje prezantohen me një problematikë të tillë cdo vit. Në dekadën e fundit ka pasur progres të madh përsa i përket përmirësimit të njohurive në lidhje me bazën molekulare të zhvillimit të anësisë nga gjenetika klinike dhe biologjia e zhvillimit.
Mjaft aspekte të patogjenezës së zhvillimit embrionik të anësisë, mekanizma të ndryshëm të zhvillimit si roli i vdekjes së programuar të qelizave dhe roli i shumëfishtë i mjaft gjeneve, janë qartësuar.
Anomalitë kongenitale të anësisë së sipërme përfshijnë një spektër të gjërë malformacionesh, deformimesh, displazish dhe sindromesh prandaj është i domosdoshëm përdorimi i një klasifikimi në mënyrë që të lehtësojë studimin e patogjenezës.
Në vitin 2010 një klasifikim i ri u propozua nga Oberg, Manske dhe Tonkin (OMT) i cili ju nënshtrua vlerësimit kritik në vitet në vazhdim. Në vitin 2014 klasifikimi OMT u adoptua si skema e rekomanduar nga IFSSH (International Federation of Societies for Surgery of the Hand) për klasifikimin e anomalive kongenitale të anësisë së sipërme
Malformacionet janë crregullime të zhvillimit normal dhe /ose të diferencimit, dhe janë format më të shpeshta të anomalive kongenitale të anësisë së sipërme.Deformimet ndodhin kryesisht pas një zhvillimi dhe diferencimi embrional normal.
Dismorfologjistët gjithashtu diskutojnë rreth rupturës dhe deformimit në një moment të caktuar të strukturave normale kryesisht atyre vaskulare (sindromi i bandës amniotike). Displazitë janë crregullime të zhvillimit dhe/ose të diferencimit të strukturave si ato vaskulare, neurale apo skeletike në mënyrë të izoluar.
Është i pamundur listimi i të gjitha sindromeve që kanë një anomali kongenitale të një anësie si komponent, pasi numri i tyre është shumë i madh.Parimet e trajtimit të anomalive kongjenitale të anësisë së sipërme.
Disa deformime vetëkorrigjohen në mënyrë spontane, fiziologjike, me rritjen e fëmijës si psh në rastet me genu varum fiziologjik, torsioni tibial intern apo anteversioni i femorit proximal.
Gjithashtu disa deformime patologjike si pasojë e traumës, sëmundjeve të ndryshme apo kirurgjisë mund të korrigjohen në mënyrë spontane, si psh rimodelimi në frakturat e kockave të gjata, korrigjimi i deformimeve të rakitit pas trajtimit medikamentoz, rimodelimi pas osteotomive varizuese të femorit proksimal etj.Sipas problematikës ka mënyra të ndryshme të korrigjimit të deformimeve me apo pa kirurgji.
Korrigjimi i deformimeve me anë të ushtrimeve për zgjatjen, tensionimin e strukturave të indeve të buta është një alternativë trajtimi jokirurgjikale. Në këtë kategori përfitojnë ato deformime të të porsalindurve që konsiderohen pozicionale në natyrë, deformimet si pasojë e crregullimeve neuromuskulare, pas periudhave të gjata të imobilizimit, pas frakturave apo korrigjimeve kirurgjikale.Disa deformime mund të korrigjohen me anë të redresimeve në gips apo me orteza të ndryshme.
Mekanizmi i korrigjimit konsiston në zgjatjen e strukturave të indeve të buta të retraktuara, në mënyrë graduale. Këto procedura aplikohen kur nuk kemi deformim kockor ose kur deformimi është minimal.
Korrigjimi me anë të relaksimit muskular të induktuar realizohet me anë të përdorimit të Baclofen oral, injektimit me anë të pompës interne të Baclofenit direkt me anë të një kateteri në kanalin spinal apo me anë të injeksioneve intramuskulare të Botox.
Efektiviteti i Botox zgjat 3-4 muaj dhe duhet të përsëritet.Traksioni përdoret gjithnjë e më rrallë dekadën e fundit. Siguron relaksim muskular gradual kryesisht në crregullimet traumatike.Imobilizimi përdoret në deformimet që përkeqësohen si pasojë e diskonfortit.
Ndihmon në shërimin e inflamacionit të indeve të buta përfshirë edhe sinovitin. Trajtimi kirurgjikal është kompleks dhe realizohet me anë të procedurave të ndryshme në varësi të problematikës që paraqitet.
Këtu përfshihen, tenotomia, zgjatja tendinoze, shkurtimi tendinoz, transferta tendinoze, tenoliza e tendineve të aderuar, kapsulotomia, artrotomia, reponimi i hapur, kapsulorafia, clirimi kapsular, synovektomia, riparimet intraartikulare, artrodeza artikulare, debridement artikular, kirurgjia artroskopike, artroplastika, kirurgjia e ligamenteve, kirurgjia kockore me osteotomitë e ndryshme për korrigjimin e deformimeve angulare, të zgjatjes apo shkurtesës së anësisë.
Kirurgjia e pllakes së rritjes me epifiziodezë të pjesshme apo të plotë, zgjatje transfizeale, transplantimi i pllakës së rritjes, amputimi etj.