Sinostoza radioulnare kongenitale është një anomali e rrallë e anësise së sipërme dhe e vështirë për tu trajtuar. Konsiston në fuzionimin proksimal të radiusit dhe të ulnës dhe si pasojë kufizimin e rotacionit të parakrahut. Forma bilaterale është më e shpeshtë.
Sinostoza radioulnare kongenitale ka edhe prezantime të tjera si sinostoza radiohumerale, ulnohumerale dhe sinostoza e trefishtë; humerus, radius dhe ulnë.
Shumica e fëmijëve sillen tek mjeku kur prindërit apo mësuesit vërejnë kufizimin e lëvizjeve të prosupinacionit apo lëvizje të tjera kompensuese.
Gjatë ekzaminimit fizik në shumicën e rasteve parakrahu është i fiksuar në një pozicion të ndërmjetëm pronacioni.
Pacientët me parakrah në kontrakturë të plote pronatore kanë deficit të theksuar funksional te anesise.
Pacientët adaptohen për të kryer funksionet e nevojshme duke shtuar gamën e lëvizjeve në artikulacionin radiokarpal aq sa në disa raste deformimi nuk vërehet.
Pak fëmijë kanë një deficit funksional të rëndësishëm. Trajtimi kirurgjikal është i indikuar për deformimet e rënda të pronacionit mbi 60°.
Gjithashtu kur deformimi është bilateral dhe jep deficit të rëndësishëm funksional.
Trajtimi kirurgjikal ka konsistuar në ndarjen e sinostozës për të restauruar lëvizjet e prosupinacionit.
Eshte realizuar osteotomi derotatore e kockave të parakrahut që e vendosin atë në një pozicion më funksional.
Ndarja e sinostozës historikisht nuk ka dhënë rezultate të mira, deformimi është rikthyer dhe në jo pak raste ka pasur ndërlikime neurovaskulare. Përpjekjet e fundit për të interpozuar graft të lirë, të vaskularizuar (fascie-subkutis) kanë dhënë rezultate më të mira.
Osteotomia derotatore e parakrahut ka qenë procedura më shpesh e perdorur dhe mund të realizohet në nivelin e sinostozës, radiusit distal apo në të dy kockat, radius dhe ulnë.
Edhe teknika Ilizarov është përdorur me sukses për korrigjimin gradual të deformimit.
Komplikacionet më të rëndësishme të trajtimit kirurgjikal janë iskemia e dorës, sindromi i kompartmentit, deficite neurologjike dhe rikthimi i deformimit.