Demtimi i muskulit Biceps

Muskuli Biceps është një nga muskujt më të rëndësishëm në pjesën e përparme të krahut.

Muskuli Biceps është një supinator i fuqishëm i parakrahut dhe gjithashtu kontribuon në flexionin (mbledhjen) e bërrylit. Supinimi është kthimi i parakrahut nga pozicioni me pëllëmbën poshtë, në pozicionin me pëllëmbën lart.

Prandaj, ruptura apo këputja e bicepsit distal, të poshtëm, çon në dobësi të supinimit të parakrahut që e bën të vështirë kryerjen e detyrave që kërkojnë supinim të fuqishëm si përdorimi i kaçavidës, kthimi i çelësit etj.

Nuk është e qartë arësyeja apo mekanizmi i mundshëm pat-fiziologjik që predispozon bicepsin distal për t’u këputur. Zona e dëmtimit është një zonë e kompromentuar, hipovaskulare për shkak të vecorive të furnizimit me gjak arterial dhe distancës së reduktuar midis pjesës së sipërme të radiusit dhe ulnës gjatë pronacionit.

Incidenca e rupturës distale të m.biceps është afërsisht 5.4 raste për 1.000.000 pacientë në vit.

Dëmtimet e bicepsit distal ndodhin më shpesh në dy grup mosha të ndryshme: sportistët e rinj, aktivë, elitarë dhe në moshën e mesme 40-60 vjec.

Personat që pinë duhan dhe ata që nuk janë aktivë fizikisht kanë më shumë gjasa të dëmtojnë tendinin e bicepsit kur ai i nënshtrohet ngarkesave të rënda të aktivitetit fizik.

Simptomat

Në rastet me rupturë, dëmdim të poshtëm të bicepsit, pacienti tregon se ka dëgjuar një kërcitje në pjesën e përparme të bërrylit. Pacienti ankon për dhimbje në pjesën e përparme të bërrylit.

Dhimbja zakonisht pakësohet pas dëmtimit akut, edhe nëse nuk trajtohet, një këputje kronike e m.biceps distal zakonisht nuk është e dhimbshme.

Mund të ketë mavijosje të lëkurës, në zonën e dëmtimit. Nëse këputet plotësisht, tendina mund të retraktohet lart, drejt supit.

Deformimi kozmetik mund të jetë i dukshëm, si një masë e rrumbullakosur në pjesën e poshtme të muskulit biceps.

Mund të ketë edhe një zonë bosh në bërryl pas palpacionit në zonën ku normalisht kalonte tendini i muskulit biceps.  

Shpesh, nuk ka shumë ndryshime të dukshme në pamjen e krahut.

Nga pikëpamja funksionale, konstatohet dobësi në flexion, ashtu edhe në supination, ose rrotullimin e parakrahut. Supinimi zakonisht ndikohet më shumë se mbledhja e bërrylit.

Diagnoza e një dëmtimi distal të bicepsit zakonisht mund të vihet me historinë, anamnezën e pacientit dhe ekzaminimin klinik, testi sipas Hook pozitiv. Ekzaminimi i MRI përcakton diagnozën nivelin dhe shkallën e saktë të dëmtimit.

Trajtimi

Trajtimi kirurgjikal konsiston  në restaurimin anatomik të tendinit të rupturuar në vendin e tij normal të inserimit në radius. Realizohet me kirurgji të hapur, incizion në pjesën e përparme të berrylit, lokalizohet tendini i rupturuar. Avancon plani kirurgjikal me thellë deri ne inserimin e tendinit tw rupturuar nw radius.

Pregatitet kocka e radiusit për restaurimin e tendinit të dëmtuar duke e tunelizuar. Realizohet riparimi, tenodeza e bicepsit distal sipas teknikës më sipër në video.

Riparimi i tendinit në gjurmën e tij  anatomike është shumë i rëndësishëm për të rifituar funksionin e mëparshëm të fleksionit të bërrylit dhe supinacionit të parakrahut. 

Rehabilitimi

Pas interventit kirurgjikal artikulacioni i bërrylit duhet mbajtur i imobilizuar për rreth 4 javë në longetë gipsi, dhe pas kësaj faze fillon rehabilitimi. Rehabilitimi duhet të jetë gradual në javët e para duke u intensifikuar në vazhdim sipas një protokolli specifik rehabilitimi.

Shërimi i tendinit përfundon 6-8 javë pas tenodezës, periudhë kjo që shoqërohet edhe me intensifikimin e procedurave të rehabilitimit. Pacienti mund të rikthehet në aktivitetin e mëparshëm fizik rreth 3-4 muaj pas interventit, por kjo është individuale në varësi të cilësisë së realizimit të rehabilitimit nga pacienti.

Dr. Arian Çelaj

Kirurg Ortoped Traumatolog, Kirurgji Dore & Anësi e Sipërme, Artroskopi, Protezim, Anomali të lindura, Kirurgji e Nervave Periferik, Paraliza Obstetrikale

Gjithashtu mund te lexoni...

Postimet me te klikuara...