Prof. Dr. Ridvan Alimehmeti.
Me paralizë të pleksit brakial në lindje kuptojmë konstatimin në lindje të deficitit neurologjik në nivel të pleksit brakial. Megjithë përpjekjet për të ulur përqindjet e hasjes së PLPB, vërehet mbetje në nivel 1-5 fëmijë në 1000 të lindur gjallë edhe në vende të zhvilluara. Ajo që ne si mjekë dëshirojmë të arrijmë është sensibilizimi dhe përditësimi i komunitetit mjekësor për stadin aktual të trajtimit kirurgjikal të paralizës së pleksit brakial në lindje (PLPB) në botë dhe brenda vendit.
Eksperienca e fituar prej vitit 1997 e në vazhdim ka lejuar përmirësimin e teknikave dhe arritjen e kryerjes me standartet bashkëkohore të interventeve mbi pleksin brakial në fëmijët me PLPB. Në 15 rastet e operuara me metoda mikrokirurgjikale është përfituar përmirësim i gjendjes neurologjike.
Koha e ndërhyrjes mbi pleksin brakial në fëmijët brenda vitit të parë të jetës mbetet periudha me rezultatin më të lartë. Me kalimin e këtij afati kohor ulet përqindja e përfitimit nga mikrokirurgjia riparuese e pleksit brakial, por mbeten alternativat e ndërhyrjeve paliative ortopedike, prandaj është e rëndësishme që këto problematika të evidentohen në kohë, dhe të mos lihen pas dore nga mjekët.
Të parët që vijnë në kontakt me fëmijën janë obstetër-gjinekologët dhe mjekët pediatër. Ata duhet të jetë personat që të adresojnë pacientin drejt neuro-kirurgut për t’u këshilluar mbi mundësitë e mëtejshme të trajtimit si dhe ecurinë klinike të fëmijës.
Prandaj, roli dhe bashkëpunimi i gjithë komunitetit mjekësor: obstetër, neonatologë, pediatër, mjekë familje dhe prindërve është thelbësor në diagnostikimin dhe drejtimin e hershëm për marrjen në kohë të trajtimit të specializuar për një rezultat sa më të mirë përfundimtar në rastin e PLPB.
Në fëmijët që nuk rikuperojnë spontanisht procedurat kirurgjikale riparuese mbi pleksin brakial synojnë rivendosjen e vazhdimësisë anatomike të trungje nervore të dëmtuara duke kontribuar në rikthimin e funksionit neurologjik. Këto procedura neurokirurgjikale mbi pleksin brakial dhe nervat periferikë kryhen pranë Shërbimit të Neurokirurgjisë, QSUT.