Dëmtimet më të shpeshta gjatë vrapimit

Vrapimi është një ndër sportet më të preferuar dhe me përdorim më masiv në popullatë. Si cdo aktivitet tjetër fizik intensiv edhe vrapimi shoqërohet me dëmtime fizike që kërkojnë kujdes, trajtim ambulator apo edhe të specializuar ortopedik në rastet me problematike.

Dëmtimet mund të parandalohen me pak kujdes para dhe pas aktivitetit fizik. Dëmtimet gjatë vrapimit ndahen në dy kategori; në dëmtime nga mbipërdorimi, lodhja dhe nga keqpërdorimi. Ka shumë faktorë që mund të shkaktojnë probleme të artikulacineve si pasojë e vrapimit.

Disa nga arësyet, faktorët e dëmtimeve si pasoje e vrapimit janë:

-rritja e menjëhershme e distancave të vrapimit,
-dëmtimi i mëparshëm ose një rikuperim jo i plotë,
-neglizhimi i simptomave të mëparshme,
-përdorimi i këpucëve të vrapimit jo të përshtatshme,
-mbipesha, obeziteti,
-meshkujt dëmtohen 1.5 herë më shpesh se femrat,
-terreni jo i përshtatshëm për vrapim.

Rekomandohet vizitë ortopedi në të gjitha rastet kur:

dhimbja zgjat më shumë se një javë, 
kur ka dhimbje të forta gjatë vrapimit, 
kur dhimbja vazhdon pasi ju ndaloni vrapimin, 
kur dhimbja vështirëson ecjen, 
-kur keni enjtje në një apo më shumë artikulacione.

Disa këshilla si ti shmangim apo reduktojmë dëmtimet si pasojë e vrapimit.

Uji është i domosdoshëm të konsumohet para, gjatë dhe pas aktivitetit të vrapimit kur zgjat deri në një orë. Pas një ore, rekomandohen elektrolite dhe karbohidrate. 

Gjumi duhet të jetë i rregullt dhe clodhës.
Kardio dhe streching dinamike para dhe pas vrapimit.
Vendosja e akullit në çdo zonë të irrituar, të skuqur apo enjtur.
Rritja e distancës së vrapimit të jetë graduale.

Cilat janë disa nga dëmtimet më të shpeshta si pasojë e vrapimit?

Fasciiti i plantar

Shoqërohet me dhimbje dhe ndjeshmëri lokale që fillon në thembër dhe gjatë harkut plantar, dhimbje në thembër në mëngjes, dhimbje në fillim të vrapimit që reduktohet gjatë vrapimit. Rekomandohet: masazh me akull pas vrapimit, vlerësimi i këpucëve, supinatore, streching i muskujve, splint natën në raste ekstreme.

Dhimbja e kërcirit

Dhimbje brenda ose jashtë këmbës/kercirit, dhimbje në fillim të vrapimit që zvogëlohet gjatë vrapimit, dhimbje që shtohen pas vrapimit. Rekomandohet përshtatja e mënyrës së vrapimit, fizioterapi për muskujt e ijeve dhe të pjesës së poshtme të këmbës, korrigjimi i posturës së këmbës, zëvëndësimi i këpucëve, vrapimi në sipërfaqe më të buta.

Tendiniti i Akilit

Me dhimbje, ënjtje, nxehtësi dhe skuqje mbi tendin, ngurtësi dhe dhimbje pas vrapimit apo aktivitetit, muskujt e pulpës mund të ndihen të kontraktuar. Rekomandohet shkurtimi i distancës së vrapimit, akull, streching të muskujve, ndryshimi i këpucëve, forcimin i muskujve të pulpës dhe pjesës së përparme të kërcirit.

Sindromi i bandës Iliotibiale

Shoqërohet me dhimbje të fortë ose irrituese përgjatë pjesës së jashtme të gjurit në fillim të vrapimit dhe përkeqësohet në mënyrë progresive. Rekomandohet; pushim, steching, akull, vrapim në sipërfaqe të buta, këpucë të përshtatshme, fizioterapi për forcimin e muskujve, korrigjim i mënyrës së vrapimit.

Distorsioni i artikulacionit talocrural

Shoqërohet me edemë, enjtje difuze e artikulacionit talocrural si pasojë e zgjatjes apo rupturës së ligamenteve. Dhimbje që vjen gradualisht duke u përkeqësuar, edemë, skuqje, kufizim i lëvizjeve. Rekomandohet anësia të mbahet në elevacion, kompresa të ftohta, bandazhim elastik dhe vizitë menjëherë tek specialisti ortoped.

Tërheqja muskulare

Shoqërohet me dhimbje që shtohet ne mënyrë graduale në muskujt e pulpës apo te kofshës. Rekomandohet qetësi, kompresa të ftohta, dhe konsultë specialisti ortoped.

Sindromi Piriformis

Muskuli piriformis  bën kontrakturë apo ngërc dhe si pasojë ai mund të ushtrojë presion mbi nervin shiatik dhe të shkaktojë dhimbje të ijeve ose dhimbje të nervit shiatik. Është gjithashtu e mundur që piriformis të kontraktohet edhe kur vraponi në mënyrë jo korrekte ose nga lodhja e tepruar.

Sindroma e dhimbjes patellofemorale

Quhet ndryshe edhe gjuri i atletit. Shoqërohet me dhimbje të fortë nën kupën e gjurit, që përkeqësohet kur ngjiteni apo zbrisni shkallët, me vrapimin në tatëpjetë, ngurtësi pas qëndrimit të zgjatur me gjurin e përkulur. Rekomandohet; Akull, fizioterapi për ballancimin e muskujve.

Fizioterapia ndihmon për të përmirësuar lëvizshmërinë, funksionin, performancën sportive, rikuperimin pas operacionit, minimizimin e nevojës për kirurgji si dhe reduktimin e përdorimit të medikamenteve.

Dr. Arian Çelaj

Kirurg Ortoped Traumatolog, Kirurgji Dore & Anësi e Sipërme, Artroskopi, Protezim, Anomali të lindura, Kirurgji e Nervave Periferik, Paraliza Obstetrikale

Gjithashtu mund te lexoni...

Postimet me te klikuara...