Fraktura skafoide. Diagnostikimi dhe trajtimi konservativ e kirurgjikal.

Fraktura skafoide është një nga dëmtimet më të shpeshta të kockave karpale dhe përbën një sfidë të rëndësishme diagnostike dhe terapeutike në ortopedi. Skafoidi luan rol kyç në stabilitetin dhe transmetimin e forcave në artikulacionin radiokarpal, ndaj dëmtimi i tij, veçanërisht kur diagnostikohet me vonesë, mund të çojë në pasoja serioze funksionale.

Mekanizmi tipik i dëmtimit është rënia me dorën e shtrirë në dorsifleksion, shpesh gjatë aktiviteteve sportive ose aksidenteve. Klinikisht, pacienti paraqet dhimbje në aspektin radial të kyçit të dorës, ndjeshmëri në “anatomical snuffbox”, edemë të lehtë dhe kufizim të lëvizjeve. Radiografitë standarde janë ekzaminimi i parë, por në fazën akute fraktura mund të mos jetë e dukshme. Në prani të dyshimit klinik, imobilizimi provizor dhe ekzaminime shtesë si CT ose MRI janë thelbësore për diagnostikim të saktë dhe vlerësim të stabilitetit.

Trajtimi varet nga lokalizimi i frakturës (pol distal, pjesa e mesme – waist, apo pol proksimal), zhvendosja dhe profili funksional i pacientit. Frakturat jo të zhvendosura trajtohen zakonisht në mënyrë konservative me imobilizim në gips për 6–12 javë, me kontroll radiologjik periodik.

Trajtimi kirurgjikal indikohet në frakturat e zhvendosura (>1 mm), frakturat e pol-it proksimal, frakturat instabile ose kominutive, pseudoartrozat, dështimin e trajtimit konservativ dhe te pacientët aktivë ku kërkohet rikthim i shpejtë funksional. Qëllimi kryesor i kirurgjisë është arritja e reduktimit anatomik, stabilitetit mekanik dhe krijimi i kushteve optimale biologjike për shërim.

Teknika më e përdorur është osteosinteza me vidë kompresive kanuluar (p.sh. Herbert screw), e realizuar në mënyrë perkutane ose me kirurgji të hapur. Metoda perkutane preferohet në frakturat akute jo të zhvendosura ose minimalisht të zhvendosura, pasi ruan vaskularizimin dhe minimizon dëmtimin e indeve të buta. Kirurgjia e hapur indikohet në fraktura të komplikuara dhe pseudoartroza, shpesh e kombinuar me transplant kockor kortikospongioz autolog nga fleta iliake ose radiusi distal. Në rastet me nekrozë avaskulare të pol-it proksimal, mund të nevojitet transplant kockor i vaskularizuar.

Fraktura e skafoidit kërkon një qasje të individualizuar terapeutike. Diagnostikimi i hershëm dhe zgjedhja e saktë midis trajtimit konservativ dhe atij kirurgjikal janë vendimtare për parandalimin e pseudoartrozës, artrozës radiokarpale dhe humbjes së funksionit të dorës.

Dr. Arian Çelaj

Kirurg Ortoped Traumatolog, Kirurgji Dore & Anësi e Sipërme, Artroskopi, Protezim, Anomali të lindura, Kirurgji e Nervave Periferik, Paraliza Obstetrikale

Gjithashtu mund te lexoni...

Postimet me te klikuara...