Dhimbja e gjurit, dëmtimet gjatë vrapimit

Dhimbja e gjurit gjatë vrapimit është një nga problemet më të zakonshme që prekin vrapuesit, si fillestarët ashtu edhe ata me përvojë. Ajo shfaqet zakonisht si rezultat i mbingarkesës, teknikës së pasaktë të vrapimit, këpucëve të papërshtatshme ose dobësisë së muskujve stabilizues të ijeve dhe kofshës. Në shumicën e rasteve, dëmtimet zhvillohen gradualisht, pa një traumë të menjëhershme, duke u bërë gjithnjë e më të bezdisshme me kalimin e kohës.

Pse ndodh dhimbja e gjurit gjatë vrapimit?

Shkaku kryesor është mbingarkesa: rritja e shpejtë e distancës, ritmit ose kohës së stërvitjes. Kjo shkakton irritim të tendinave, kërcit dhe strukturave përreth gjurit. Teknikat jo të sakta të vrapimit—si hapat e gjatë, goditja e fortë në thembër dhe mbi-pronacioni i këmbës—rrisin më tej stresin mbi nyjen e gjurit. Muskujt e dobët të ijeve, glutealëve dhe quadriceps-it kontribuojnë në pozicionin e gabuar të gjurit gjatë vrapimit, duke rritur rrezikun për dëmtime. Këpucët e konsumura ose modeli i gabuar i tyre janë një tjetër faktor i rëndësishëm që shpesh neglizhohet.

Dëmtimet më të shpeshta gjatë vrapimit

1. Dhimbja patelofemorale (Runner’s Knee)

Shkakton dhimbje përpara gjurit dhe është e zakonshme tek vrapuesit që rrisin ngarkesën shpejt. Dhimbja shtohet kur zbresin shkallët ose qëndrojnë ulur gjatë.

2. Tendinopatia patelare

Shfaqet si dhimbje poshtë kupës së gjurit, veçanërisht në vrapimet me intensitet të lartë dhe zbritjet e pjerrëta.

3. Sindroma e shiritit iliotibial (ITB)

Shkakton dhimbje anësore të gjurit dhe lidhet me terrene të pjerrëta, këpucë të vjetra dhe dobësi të glutealëve.

4. Dëmtimet e meniskut

Më të rralla në vrapimin linear, por të mundshme në terrene të pabarabarta. Shenjat tipike janë klikimet, bllokimi dhe dhimbja e brendshme e gjurit.

5. Pes Anserine Syndrome

Dhimbje në pjesën e brendshme të poshtme të gjurit, shpesh e lidhur me mbi-pronacion dhe stërvitje të tepërt.

Si trajtohen këto dëmtime?

Trajtimi fillon me ulje të ngarkesës, akull në fazën akute dhe ushtrime të forcimit për glutealët, quadricepsin dhe core. Ndryshimi i teknikës së vrapimit dhe ndërrimi i këpucëve është esencial. Fizioterapia, taping, shockwave ose PRP përdoren në raste të zgjedhura. Kirurgjia rrallë është e domosdoshme.

Si të parandaloni dhimbjen e gjurit?

  • rriteni ngarkesën gradualisht
  • forconi muskujt e ijeve dhe kofshës
  • përdorni këpucë të përshtatshme
  • shtrihuni pas vrapimit
  • alternoni terrenet e vrapimit

Dhimbja e gjurit dhe dëmtimet gjatë vrapimit janë të menaxhueshme me ndërhyrje të hershme, teknikë të saktë dhe program stërvitor të balancuar.

Dr. Arian Çelaj

Kirurg Ortoped Traumatolog, Kirurgji Dore & Anësi e Sipërme, Artroskopi, Protezim, Anomali të lindura, Kirurgji e Nervave Periferik, Paraliza Obstetrikale

Gjithashtu mund te lexoni...

Postimet me te klikuara...