Pseudoartroza e Skafoides


Pseudoartroza e skafoides është një mosbashkim, mosngjitje e frakturës, zakonisht pas më shumë se 6 muajsh nga trauma, që nuk tregon shenja të rigjenerimit kockor. Ajo është një nga shkaqet kryesore të dhimbjes kronike të dorës, humbjes së funksionit dhe mund të çojë në osteoartrit të përparuar të kyçit të dorës, i njohur si SNAC (Scaphoid Nonunion Advanced Collapse).

Skafoidi është një nga kockat karpale më të rëndësishme në funksionin e kyçit të dorës dhe është kocka më e shpeshtë që frakturohet në rreshtin proksimal të karpeve. Pozicioni i saj mes rreshtit proksimal dhe distal të karpeve, si dhe furnizimi i kufizuar me gjak, e bëjnë atë të ndjeshëm ndaj mosbashkimit dhe komplikacioneve të mëvonshme.

Anatomia dhe Vaskularizimi i Skafoides
Skafoidi ka një vaskularizim të veçantë dhe të kufizuar. Degët e arteries radiale hyjnë në skafoid kryesisht nëpërmjet sipërfaqes dorsale dhe shtrihen në mënyrë retrograde drejt polit proksimal. Kjo e bën segmentin proksimal shumë të ndjeshëm ndaj nekrozës avaskulare pas frakturës. Furnizimi arterial përfshin rrjetin dorsal të arteries interkarpale dhe degën palmare të arteries radiale. Në rast të ndërprerjes së këtij furnizimi, gjasat për pseudoartrozë dhe komplikime të rënda rriten ndjeshëm.

Figura 1: Vaskularizimi i skafoidit nga pamja palmare dhe dorsale.

Shkaqet dhe Patofiziologjia e Pseudoartrozës

Pseudoartroza zakonisht ndodh kur fraktura nuk shërohet brenda një periudhe të caktuar kohore. Shkaqet përfshijnë: mosdiagnostikimi i hershëm, imobilizimi joadekuat, lëvizjet e përsëritura dhe çrregullimet e qarkullimit të gjakut në pjesën proksimale të skafoides. Si rezultat, formohet një “nyje false” pa kontinuitet kockor, gjë që çon në dhimbje, rënie funksionale dhe rrezik për artrozë karpale.

Diagnostikimi

Diagnostikimi bazohet në anamnezë, ekzaminim klinik dhe radiografi standarde (AP dhe profil). Në raste të dyshimta përdoren MRI dhe CT për të vlerësuar saktësisht vaskularizimin dhe fazën e pseudoartrozës. MRI është veçanërisht e dobishme për të vlerësuar praninë e nekrozës avaskulare në segmentin proksimal.

Teknikat Kirurgjikale me Graft të Vaskularizuar
Pseudoartroza e skafoides nese eshte e dokumentuar dhe ka dështuar trajtimi konservativ, ndërhyrja kirurgjikale është e nevojshme. Graftet e vaskularizuar janë veçanërisht të dobishëm në rastet me deformim dorsal (humpback deformity), nekrozë avaskulare ose pas dështimit të ndërhyrjeve të mëparshme. Një nga teknikat më të përdorura është ajo e Zaidemberg, ku përdoret një segment kockor nga radiusi distal me pedikul arterial të ruajtur nga arteria interkarpale dorsale. Një tjetër teknikë përfshin përdorimin e graftit nga arteria metakarpale dorsale e parë. Këto graft përdoren për të ruajtur jetën kockore dhe për të stimuluar rigjenerimin në zonën e pseudoartrozës. Fiksimi i fragmentit realizohet shpesh me vida kompresive të tipit Herbert ose Acutrak.

Pseudoartroza e skafoides është një mosbashkim, mosngjitje e frakturës,

Figura 3: Teknikë kirurgjikale me përdorimin e graftit vaskularizuar nga radiusi distal.

Figura 4: Skemë që ilustron fiksimin me vida të kockës skafoide.

Rezultatet dhe Suksesi i Trajtimit

Studimet tregojnë përqindje të lartë suksesi. Graftet vaskularizuese japin rezultat në 85–90% të rasteve. Ato janë më efektive se graftet jokaskularizuar. Sidomos në segmentet me nekrozë, rezultati është më i mirë. Pacientët raportojnë ulje të dhimbjes dhe rikthim të funksionit.

Përfundime

Pseudoartroza e skafoides është një problem i vështirë ortopedik. Anatomia dhe qarkullimi i kufizuar janë faktorë kryesorë. Megjithatë, trajtimi kirurgjikal me graft vaskularizuar është efektiv. Ai përmirëson ndjeshëm shërimin dhe funksionin. Suksesi i teknikës arrin deri në 90% në disa seri klinike. Diagnoza e hershme dhe zgjedhja e teknikës së duhur janë thelbësore.

Dr. Arian Çelaj

Kirurg Ortoped Traumatolog, Kirurgji Dore & Anësi e Sipërme, Artroskopi, Protezim, Anomali të lindura, Kirurgji e Nervave Periferik, Paraliza Obstetrikale

Gjithashtu mund te lexoni...

Postimet me te klikuara...