Rikonstruksioni i tendinit flektor të dorës

Rikonstruksioni i tendinit flektor të dorës me dy faza, duke përdorur një spacer të tendinit në fazën e parë dhe transplant tendinoz të tendinit në fazën e dytë, është trajtimi më i pranuar për pacientët me prognozë të dobët nga rindërtimi primar, rastet e neglizhuara ose të patrajtuara.

Kirurgjia e tendinit fleksor të dorës është një procedurë që mbart rreziqe të konsiderueshme deri në deficite totale funksionale të dorës. Kjo justifikon rëndësinë e cilësisë së këtij riparimi kirurgjik i cili duhet të kryhet në gjendje të mirë, dhe nga specialistë të fushës.

Lezionet e tendinit fleksor kanë një gravitet funksional që shpesh nënvlerësohet nga pacientët, madje edhe nga vetë mjekët, duke i dhënë pacientit shkallë të ndryshme invaliditeti.

Rikonstruksioni i aparatit flektor së dorës mbetet një sfidë për një kirurg të dorës, sepse tendini i shëruar ka tendencë të ngjitet në tunelin e tij fibro-osoz.

Pas operacionit aplikohet një ortezë Kleinert, artikulacionet metakarpo-falangale në fleksion 40 gradë dhe artikulacionet inter-falangale në pozicionin neutral.

Pas 24 orësh fillon protokolli i hershëm i lëvizjes aktive sipas protokollit Kleinert, lëvizje aktive dhe pasive, dhjetë herë në orë.

Gjatë natës imobilizimi bëhet në ekstension për të parandaluar kontrakturën.

Katër javë pas operacionit, lëvizjet aktive fillojnë pa rezistencë dhe orteza hiqet gjatë ditës, mbahet vetëm natën.

Gjashtë javë pas operacionit, orteza hiqet edhe natën dhe lëvizjet aktive fillojnë me ushtrime progresive të rezistencës.

Pacientët ndiqen mesatarisht për një vit e gjysmë nga dita e operacionit.

Komplikimet kryesore të rindërtimit të tendinit flexor me dy faza përfshijnë formimin e aderencave, infeksionin, nekrozën e lëkurës, këputjen anastomotike dhe ekspozimin e spacerit.

Kirurgjia dytësore në dëmtimet e neglizhuara të tendinit është mjaft sfiduese, teknikisht shumë e vështirë. Prandaj, interesi është që operacioni primar të kryhet në mënyrë korrekte dhe pacienti të përfitojë sa më shumë që të jetë e mundur.

Shumë faktorë mund të ndikojnë në prognozën e riparimit të tendinit flexor në dorë, duke përfshirë profilin e pacientit, kushtet social-ekonomike si dhe karakteristikat e traumës.

Teknika jep rezultate shumë të mira, të kënaqshme, dhe mesatarisht të kenaqshme sipas faktoreve të sipër përmendur.

Dr. Arian Çelaj

Kirurg Ortoped Traumatolog, Kirurgji Dore & Anësi e Sipërme, Artroskopi, Protezim, Anomali të lindura, Kirurgji e Nervave Periferik, Paraliza Obstetrikale

Gjithashtu mund te lexoni...

Postimet me te klikuara...